Që fëmija yt të ketë "Llogarinë e Google" ose profilin e vet, mund të kemi nevojë për lejen tënde për të mbledhur, përdorur ose zbuluar informacionet e fëmijës tënd siç përshkruhet në këtë "Njoftim të privatësisë" dhe në "Politikën e privatësisë" të Google. Kur e lejon fëmijën tënd të përdorë shërbimet tona, ti dhe fëmija yt na besoni informacionet tuaja. Ne e kuptojmë se kjo është një përgjegjësi e madhe dhe punojmë shumë për t'i mbrojtur informacionet tuaja dhe për t'jua lënë juve kontrollin. Mund të zgjedhësh nëse fëmija yt mund të menaxhojë kontrollet e veta të aktivitetit për gjëra të tilla si p.sh. "Aktivitetin e uebit dhe të aplikacioneve", "Historikun e YouTube" dhe, në rajone të caktuara, për lidhjen e shërbimeve të Google.
Në këtë "Njoftim të privatësisë" për "Llogaritë e Google" dhe profilet e menaxhuara me Family Link për fëmijët nën 13 vjeç (ose nën moshën e zbatueshme për shtetin tënd) dhe në "Politikën e privatësisë" të Google shpjegohen praktikat e privatësisë të Google. Për sa i përket praktikave të privatësisë që janë specifike për llogarinë ose profilin e fëmijës tënd, si p.sh. në lidhje me kufizimet për reklamimin e personalizuar, ato ndryshime janë të përcaktuara në këtë "Njoftim të privatësisë".
Ky "Njoftim i privatësisë" nuk zbatohet për praktikat e aplikacioneve, veprimeve ose sajteve të uebit të ndonjë pale të tretë (jo të Google) që mund të përdorë fëmija yt. Duhet të rishikosh kushtet dhe politikat e zbatueshme për aplikacionet, veprimet dhe sajtet e palëve të treta për të përcaktuar përshtatshmërinë e tyre për fëmijën tënd, duke përfshirë praktikat e tyre për mbledhjen dhe përdorimin e të dhënave.
Pasi të japësh lejen që fëmija yt të ketë një "Llogari të Google" ose një profil, llogaria ose profili i fëmijës do të trajtohet në përgjithësi si llogaria jote për sa i përket informacioneve që mbledhim ne. Për shembull, ne mbledhim:
Si pjesë e procesit të krijimit të llogarisë ose profilit, ne mund të kërkojmë informacione personale, si p.sh. emri dhe mbiemri, adresa e email-it dhe ditëlindja. Ne mbledhim informacionet që ofrohen nga ti ose fëmija yt, si p.sh. detajet e tua të kontaktit online, të cilat janë të nevojshme për ne për të kontaktuar me ty për të kërkuar pëlqimin. Ne mbledhim po ashtu informacionet që fëmija yt krijon, ngarkon ose merr nga të tjerët kur përdor llogarinë ose profilin e vet, si p.sh. kur fëmija yt ruan një fotografi në "Fotografitë e Google" ose krijon një dokument në "Diskun e Google".
Ne mbledhim dhe ruajmë automatikisht informacione të caktuara për shërbimet që përdor fëmija yt dhe se si i përdor fëmija ato, si p.sh. kur fëmija yt fut një pyetje në "Kërko në Google" ose Gemini, flet me "Asistentin e Google" ose shikon një video në YouTube Kids. Këto informacione përfshijnë:
Ne mbledhim informacione për aplikacionet, shfletuesit dhe pajisjet që përdor fëmija yt për t'u qasur në shërbimet e Google, duke përfshirë identifikuesit unikë, llojin dhe cilësimet e shfletuesit, llojin dhe cilësimet e pajisjes, sistemin operativ, informacionet e rrjetit celular, duke përfshirë emrin e operatorit celular dhe numrin e telefonit, si dhe numrin e versionit të aplikacionit. Ne mbledhim po ashtu informacione për ndërveprimin e aplikacioneve, shfletuesve dhe pajisjeve të fëmijës tënd me shërbimet tona, duke përfshirë adresën IP, raportet e ndërprerjeve aksidentale, aktivitetin e sistemit, si dhe datën, orën dhe URL-në e referuesit për kërkesën e fëmijës tënd. Për shembull, ne i mbledhim këto informacione kur një shërbim i Google në pajisjen e fëmijës tënd kontakton me serverët tanë, p.sh. kur instalon një aplikacion nga "Dyqani i Play".
Ne mbledhim informacione për aktivitetin e fëmijës tënd në shërbimet tona, të cilat, në varësi të cilësimeve të fëmijës, i përdorim për të bërë gjëra të ndryshme, si p.sh. për të rekomanduar aplikacione që mund t'i pëlqejnë në Google Play. Mund të zgjedhësh nëse fëmija yt mund të menaxhojë kontrollet e veta të aktivitetit. Informacionet e aktivitetit të fëmijës tënd që mbledhim mund të përfshijnë gjëra të tilla si termat e kërkimit, videot që shikon fëmija, informacionet e zërit dhe të audios kur përdor veçoritë e audios, personat me të cilët komunikon ose ndan përmbajtje si dhe historikun e shfletimit të Chrome që ka sinkronizuar me "Llogarinë e vet të Google". Nëse fëmija yt i përdor shërbimet tona për të kryer ose marrë telefonata ose për të dërguar dhe marrë mesazhe, p.sh. duke përdorur Google Meet, ne mund të mbledhim informacione të evidencave të telefonisë. Fëmija yt mund ta vizitojë "Llogarinë e vet të Google" për të gjetur dhe menaxhuar informacionet e llogarisë që janë ruajtur në llogarinë ose profilin e vet dhe ti gjithashtu mund ta ndihmosh në menaxhimin e informacioneve të aktivitetit duke u identifikuar në "Llogarinë e Google" të fëmijës tënd ose duke u qasur në profilin e fëmijës në Family Link.
Ne mbledhim informacione për vendndodhjen e fëmijës tënd kur fëmija përdor shërbimet tona. Vendndodhja e fëmijës tënd mund të përcaktohet duke përdorur shërbimin GPS, adresën IP, të dhënat e sensorit nga pajisja e vet dhe informacione për gjërat në afërsi të pajisjes, si p.sh.: pikat e qasjes Wi-Fi, antenat e operatorëve celularë dhe pajisjet me Bluetooth-in të aktivizuar. Llojet e të dhënave të vendndodhjes që ne mbledhim varen pjesërisht nga cilësimet e tua dhe cilësimet e familjes tënde.
Ne mund të mbledhim informacionet e zërit dhe të audios të fëmijës tënd. Për shembull, nëse fëmija yt përdor komandat e aktivizimit të audios (p.sh. "OK, Google" ose prek ikonën e mikrofonit), një regjistrim i të folurës/audios vijuese do të përpunohet për t'iu përgjigjur kërkesës së fëmijës. Përveç kësaj, nëse është zgjedhur opsioni "Aktiviteti i zërit dhe i audios" për fëmijën tënd nën cilësimin "Aktiviteti i uebit dhe i aplikacioneve", regjistrimi i ndërveprimit të tij zanor me "Asistentin" në një pajisje ku është identifikuar ai (si dhe disa sekonda përpara) mund të ruhet me llogarinë e fëmijës.
Ne përdorim teknologji të ndryshme për të mbledhur dhe ruajtur informacionet e fëmijës tënd, duke përfshirë kukit, etiketat e pikselit, hapësirën ruajtëse lokale, si p.sh. hapësirën ruajtëse të uebit të shfletuesit ose memoriet specifike të të dhënave të aplikacioneve, bazat e të dhënave si dhe evidencat e serverëve. Ne nuk kërkojmë që fëmija yt të japë më shumë informacione personale nga sa është e nevojshme në mënyrë të arsyeshme për të përdorur produktet dhe shërbimet e Google që ofrohen për këto llogari ose profile.
Në "Politikën e privatësisë" të Google shpjegohet me më shumë detaje se si mund t'i përdorim të dhënat që Google mbledh në lidhje me profilin ose "Llogarinë e Google" të fëmijës tënd. Në përgjithësi, ne i përdorim informacionet e fëmijës tënd për të ofruar, mirëmbajtur dhe përmirësuar shërbimet tona; për të zhvilluar shërbime të reja; për të personalizuar shërbimet tona për fëmijën tënd; për të matur cilësinë e funksionimit dhe për të kuptuar se si përdoren shërbimet tona; për të komunikuar drejtpërdrejt me fëmijën tënd në lidhje me shërbimet tona; si dhe për të ndihmuar në përmirësimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së shërbimeve tona.
Ne përdorim teknologji të ndryshme për të përpunuar informacionet e fëmijës tënd për këto qëllime. Ne përdorim sisteme të automatizuara që analizojnë përmbajtjet ose ndërveprimet e fëmijës tënd për t'i ofruar gjëra të tilla si rezultate të personalizuara kërkimi ose funksione të tjera të përshtatura për mënyrën se si i përdor ai shërbimet tona. Dhe ne i analizojmë përmbajtjet e fëmijës tënd për të na ndihmuar të zbulojmë abuzimet, si p.sh.: mesazhet e padëshiruara, softuerët keqdashës dhe përmbajtjet e paligjshme. Ne përdorim po ashtu algoritme për të dalluar karakteristika te të dhënat. Kur zbulojmë mesazhe të padëshiruara, softuerë keqdashës, përmbajtje të paligjshme dhe forma të tjera të abuzimit në sistemet tona në shkelje të politikave tona, ne mund ta çaktivizojmë llogarinë ose profilin e fëmijës ose të ndërmarrim veprime të tjera të duhura. Në rrethana të caktuara, ne mund ta raportojmë po ashtu shkeljen tek autoritetet përkatëse.
Në varësi të cilësimeve të fëmijës, ne mund t'i përdorim informacionet e fëmijës tënd për të ofruar rekomandime, përmbajtje të personalizuara dhe rezultate të personalizuara të kërkimit. Për shembull, në varësi të cilësimeve të fëmijës tënd, Google Play mund të përdorë informacionet, si p.sh. aplikacionet që ka instaluar fëmija yt, për të sugjeruar aplikacione të reja që mund t'i pëlqejnë.
Përveç kësaj, në varësi të cilësimeve të fëmijës, ne mund t'i ndërthurim informacionet që mbledhim nëpër shërbimet tona dhe nëpër pajisjet e fëmijës tënd për qëllimet e përshkruara më sipër. Në varësi të cilësimeve të llogarisë ose profilit të fëmijës tënd, aktiviteti i fëmijës në sajtet dhe aplikacionet e tjera mund të lidhet me informacionet e veta personale për përmirësimin e shërbimeve të Google.
Google nuk do t'i shërbejë reklama të personalizuara fëmijës tënd, që do të thotë se reklamat nuk do të bazohen në informacionet nga profili ose llogaria e fëmijës tënd. Në vend të kësaj, reklamat mund të bazohen në informacione të tilla si përmbajtjet e uebsajtit ose të aplikacionit që po shikon fëmija yt, përmbajtja aktuale e kërkimit ose vendndodhja e përgjithshme (si p.sh. qyteti ose shteti). Kur shfleton në ueb ose përdor aplikacione jo të Google, fëmija yt mund të ndeshë reklama të shërbyera nga ofrues të tjerë të reklamave (jo të Google), duke përfshirë reklama të personalizuara nga palë të treta.
Fëmija yt mund të ndajë informacione, duke përfshirë fotografi, video, audio dhe vendndodhjen, në mënyrë publike dhe me të tjerët, kur identifikohet me "Llogarinë e vet të Google" ose profilin e vet. Kur fëmija yt ndan informacione në mënyrë publike, ato mund të jenë të arritshme nga motorët e kërkimit si "Kërko në Google".
Informacionet që mbledhim mund të ndahen jashtë Google në rrethana të kufizuara. Ne nuk i ndajmë informacionet personale me kompani, organizata dhe individë jashtë Google përveçse në rastet e mëposhtme:
Ne do t'i ndajmë informacionet personale jashtë Google me pëlqim (siç zbatohet).
Informacionet e fëmijës tënd, duke përfshirë emrin e fëmijës, fotografinë, adresën e email-it dhe blerjet e Play, mund të ndahen me anëtarët e grupit tënd të familjes në Google.
Ne u japim informacion personal filialeve tona ose bizneseve të tjera të besuara apo personave për t'i përpunuar ato për ne, bazuar në udhëzimet tona dhe në përputhje me këtë "Njoftim privatësie", Politikën e privatësisë të Google dhe çdo masë tjetër të përshtatshme konfidencialiteti dhe sigurie.
Ne do t'i ndajmë informacionet personale me kompani, organizata ose individë jashtë Google nëse kemi besimin e sinqertë se qasja, përdorimi, ruajtja ose zbulimi i informacioneve është i nevojshëm në mënyrë të arsyeshme:
për të respektuar çdo ligj, rregullore, proces ligjor të zbatueshëm ose kërkesë qeveritare të detyrueshme;
për të zbatuar "Kushtet e zbatueshme të shërbimit", duke përfshirë hetimin për shkelje të mundshme;
për të zbuluar, parandaluar ose për të adresuar mashtrimet, çështjet e sigurisë ose çështjet teknike;
për të mbrojtur nga dëmet ndaj të drejtave, pronës ose sigurisë së Google, të përdoruesve tanë ose publikut siç kërkohet ose lejohet nga ligji;
Ne mund të ndajmë po ashtu informacione të identifikueshme jopersonale (si p.sh. tendencat për përdorimin e përgjithshëm të shërbimeve tona) në mënyrë publike dhe me partnerët tanë, si p.sh.: publikuesit, reklamuesit, zhvilluesit ose mbajtësit e të drejtave. Për shembull, ne ndajmë informacione në mënyrë publike për të treguar tendencat për përdorimin e përgjithshëm të shërbimeve tona. Ne lejojmë po ashtu partnerë të veçantë që të mbledhin informacione nga shfletuesit ose pajisjet për qëllime të reklamimit dhe të matjes duke përdorur kukit e tyre ose teknologji të ngjashme.
Nëse fëmija yt ka një "Llogari të Google", mund të qasesh, të përditësosh, të heqësh dhe të eksportosh informacionet e fëmijës tënd, si dhe të kufizosh përpunimin e tyre, duke u identifikuar në "Llogarinë e Google" të fëmijës. Nëse nuk të kujtohet fjalëkalimi i fëmijës tënd, mund ta rivendosësh atë përmes aplikacionit Family Link ose cilësimeve të Family Link në ueb. Pasi të identifikohesh, mund të përdorësh kontrollet e ndryshme të përshkruara në Politikën e privatësisë të Google, si p.sh. kontrollet e aktivitetit të Google, për të ndihmuar në menaxhimin e informacioneve dhe cilësimeve të privatësisë të fëmijës tënd.
Nëse fëmija yt ka një profil, mund të qasesh, të përditësosh, të heqësh dhe të eksportosh informacionet e fëmijës tënd, si dhe të kufizosh përpunimin e tyre, përmes aplikacionit Family Link ose cilësimeve të Family Link në ueb.
Fëmija yt do të ketë aftësinë që të fshijë aktivitetin e vet në të kaluarën tek “Aktiviteti im” dhe, si parazgjedhje, të japë lejet për aplikacionet (duke përfshirë gjëra të tilla si vendndodhja e pajisjes, mikrofoni ose kontaktet) për palët e treta. Aplikacionin Family Link mund ta përdorësh gjithashtu për të redaktuar ose modifikuar informacionet e "Llogarisë së Google" ose profilit të fëmijës tënd, për të rishikuar aktivitetin e aplikacioneve dhe lejet e aplikacioneve, si dhe për të menaxhuar aftësinë e fëmijës tënd për të dhënë leje të caktuara për aplikacionet ose shërbimet e palëve të treta për të pasur qasje tek informacionet e fëmijës tënd.
Nëse në ndonjë moment dëshiron të ndalosh mbledhjen e mëtejshme apo përdorimin e informacioneve të fëmijës tënd, mund ta fshish profilin ose "Llogarinë e Google" të fëmijës tënd duke klikuar te "Fshi llogarinë" ose "Fshi profilin" në faqen e informacioneve të profilit ose të llogarisë së fëmijës tënd në aplikacionin Family Link ose cilësimet e Family Link në ueb. Informacionet e profilit ose të llogarisë së fëmijës tënd do të fshihen përgjithmonë brenda një periudhe të arsyeshme kohore.
Nëse ke ndonjë pyetje për "Llogarinë e Google" ose profilin e fëmijës tënd, mos hezito të na kontaktosh. Ne jemi këtu për të të ndihmuar. Mund të gjesh informacione shtesë rreth Family Link dhe profilit ose "Llogarisë së Google" të fëmijës tënd në qendrën tonë të ndihmës. Mund të dërgosh gjithashtu komente rreth Family Link ose profilit apo "Llogarisë së Google" të fëmijës tënd në aplikacionin Family Link duke trokitur te Menyja ☰ > Ndihma dhe komentet > Dërgo komente ose duke na kontaktuar me email ose në adresën më poshtë.
Google
1600 Amphitheatre Parkway
Mountain View, CA 94043 USA
Telefon: +1 855 696 1131 (SHBA)
Për shtetet e tjera, vizito g.co/FamilyLink/Contact
Nëse ke pyetje rreth mënyrës se si Google grumbullon dhe përdor të dhënat e fëmijës tënd, mund të kontaktosh me Google dhe zyrën tonë të mbrojtjes së të dhënave. Mund të kontaktosh po ashtu me autoritetin tënd lokal për mbrojtjen e të dhënave nëse ke shqetësime në lidhje me të drejtat e tua sipas ligjit vendor.